ARRSH: Nga Unaza e Re dhe Yzberishti do kalohet në rrugicat paralele

Në kuadër të avancimit të punimeve në Unazën e Re, duke nisur prej datës 20 Tetor do të ketë një devijim të trafikut të qarkullimit të automjeteve. Më konkretisht, të gjithë ata që vijnë nga zona e Astirit do të devijojnë në rrugicat paralele në zonën e Yzberishtit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar hartën se si do të ndryshojë qarkullimi i automjeteve nga Unaza e Re dhe Yzberishti. Për të ndihmuar drejtuesit është vendosur edhe sinjalistika përkatëse.

Aty ku ndahen rrymat e trafikut për Unazë të Re dhe Yzberisht automjetet që kanë për destinacion zonën e pallateve do të devijojnë djathtas në rrugën paralele, me të cilën janë lidhur të gjitha rrugicat ekzistuese si rruga “Mikel Maruli”, rruga Aleksandri i Madh dhe bulevardi “Migjeni”.

Për shkak të punimeve që do të kryhen në këtë aks do të jetë I ndaluar parkimi i automjeteve.

Një pjesë e konsiderueshme e aksit nga sheshi “Shqiponja” drejt Pallatit me Shigjeta është asfaltuar dhe sistemuar prej disa kohësh.

Ndërkohë e gjithë Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë, e cila do t’i kushtojë në total buxhetit një vlerë prej 373 milionë eurosh. Përfundimi i saj në vitin 2023 do të lehtësojë trafikun brenda Tiranës, ndërsa do bëjë lidhjen e kryeqytetit me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.

Klan News