Seria e dytë e emisionit “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, mbi ngjarjet e vitit 1997 trajton ngjarjet tragjike që provokuan firmat piramidale në Mars të këtij viti.

Më 28 Shkurt fillon një nga enigmat më të mëdha dhe momenti i parë i shkëndijës, që çoi më pas në hapjen e depove dhe ngritjen e shumë qyteteve të Shqipërisë në protesta të armatosura.

Një grup studentësh deklaroi se një furgon i bardhë pa targa kishte shkuar drejt univeristetit për të nxjerrë jashtë studentët, të cilët ishin ngujuar. Në përplasje e sipër me një nga rojet e godinës, ata i kishin ngulur thikën rojes 16-17 vjeçar dhe më pas kishin marrë furgonin dhe kishin shkuar në drejtim të SHIK-ut. Kjo ishte thashethemnaja që u përhap dhe që krijoi konfuzion. Mijëra persona u drejtuan për në godinën e SHIK-ut dhe rreth orës 22:30 situata u tensionua dhe nisën të dëgjoheshin krismat e para të armëve.

“Mbaj mend që turma të egërsuara me thirrje nga më të ndryshmet ishin drejtuar drejt SHIK-ut. Rreth orës 10:00 të mbrëmjes nisën të dëgjoheshin krismat e para”, tha Stavri Marko, korrespondent i BBC.

Në orët e vona të 28 Shkurtit, në parlamentin shqiptar vijonin debatet e tensionuara. Ndërkohë që diskutonte në parlament, Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali thirret që të flasë urgjent me shefin e SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Ai i kërkon me urgjencë një helikopter Zhulalit, për të ndihmuar oficerët e SHIK, që ishin rrethuar brenda selisë së tyre në Vlorë.

Mesa duket kjo ishte biseda e fundit mes Zhulalit dhe Gazidedes, të cilët mbërthyen brenda tyre një nga misteret më të mëdha të 1997-s. Zhulali ndërroi jetë në Prill të 2003-t, ndërkohë Gazidede ndodhej në ekzil jashtë Shqipërisë. Rreth mesnatës, selia e SHIK digjet. Disa prej oficerëve arrijnë të çajnë rrethimin dhe të dalin, por një prej tyre, Besnik Hidri, plagoset dhe humb jetën gjatë transportit me helikopter për në spital. Oficeri i dytë që humb jetën ishte Lekë Qoku, i cili ishte plagosur dhe ra në dorë të protestuesve. Ndërkohë që edhe tre qytetarë të tjerë humbën jetën. Ishte një moment tragjik për Vlorën, ku në çdo cep dëgjoheshin armë. Depoja e armëve pranë SHIK u sulmua dhe protestuesit u armatosën me armë.

Si pasojë e sulmeve pati viktima, por mbetet ende mister fakti nëse oficerë të SHIK-ut provokuan ngjarjen.

Ndërkohë nisi varrimi i tre qytetarëve të vrarë dhe trupi i oficerit Lekë Qoku u çua në familjen e tij. Babai i tij deklaroi se Lekën nuk e kishte vrarë Vlora dhe nëse do të ishte nevoja do të luftonte krah vlonjatëve.

Pjesa më e madhe e qytetit u armatos me armë pas shpërthimit të depove dhe më datë 1 Mars, një grup personash morën në dorë kontrollin e qytetit.

Por përse u hapën depot e armëve?

Bashkim Gazidede kishte një version konspirativ për hapjen e depove në Vlorë dhe në gjithë jugun e Shqipërisë.

“Pas shkatërrimit të SHIK-ut, turma sulmoi bazat ushtarake në Vlorë, duke mos hasur asnjë rezistencë. Më datë 1 Mars, në Himarë u ngrit flamuri grek nga Albert Shyti, i ardhur nga Greqia si përfaqësues i emigrantëve atje. Ndërkohë mediat greke ndërprisnin programet e tyre dhe jepnin herë pas herë lajme për Vorio Epirin, siç e quajnë ata. Në kronikat e tyre shkruhej se luftëtarët vorioepiriotë çliruan Vlorën, Tepelenën e Delvinën. Synimi i kësaj lëvizje, përveçse armatosjes së popullsisë, ishte edhe shkatërrimi i vlerave historike dhe shkëputjes së Jugut të Shqipërisë”,tha Gazidede.

Ndërkohë, studentët të cilët qenë edhe protagonistët, duket se ishin harruar në ato momente. Përmes televizionit lokal të Vlorës, atyre iu bëhet thirrje të dilnin nga protesta, sepse nuk kishin më një motiv për të qëndruar. Situata në qytet kishte dalë jashtë kontrollit dhe ato që cilësoheshin si krerët e protestës nuk mund ta kontrollonin më situatën.

Më 2 Mars parlamenti merr në konsideratë kërkesën e Kryeministrit Aleksandër Meksi për vendosjen e gjendjes së emergjencës. Që nga ora 19:00 e mbrëmjes e deri në 06:00 të mëngjesit u ndaluan daljet, me përjashtim të lejeve speciale të dhëna nga Komandanti i Operacionit. Shqipëria hyn në një gjendje që nuk kishte qenë kurrë më parë, në gjendjen e shtetrrethimit. /tvklan.al