Ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure aksioni për shembjen e banesave në lagjen “5 Maji” në Tiranë. Forca policore rrethuan zonën pasi një pjesë e banorëve kundërshtojnë shembjen e banesave të mbetura.

Këto apartamente po shemben në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit 2019, ku në këtë zonë është hartuar një plan zhvillimor me blloqe të reja banesash.

Sipas VKM-së, banorëve shtëpitë e të cilëve janë parashikuar për t’u shembur, do t’u jepen apartamentet e reja që do të ndërtohen në këtë zonë.

Por disa banorë e kundërshtojnë këtë projekt duke thënë se shtëpitë e tyre nuk kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 2019 dhe nuk kanë përse të shemben. /tvklan.al