Rama: Agjërim të lehtë në muajin e bekuar

Këtë të martë nis zyrtarisht muaji i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiston në privimin me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit.

Besimtarët e agjërojnë këtë muaj sepse është urdhër i Zotit, si në çdo adhurim tjetër, ka një sërë dobish shpirtërore, psikologjike, shëndetësore, etj.

Edhe kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të marte me një urim për të gjithë besimtarët mysliman, ndërsa ju uron agjërim të lehtë.

“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët muslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama.

Presidenti Meta gjithashtu nuk ka nguruar të urojë besimtarët për muajin e shenjtë.

“Të dashur motra dhe vëllezër të besimit Islam, gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!I bashkohem urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t’i falë mëshirën e tij, t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët. Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë! Nga mot gëzuar muajin e madhërishëm të Ramazanit!”, shkruan Meta në postimin e tij në Facebook./tvklan.al