Nis seanca e parë parlamentare për vitin 2022. Seanca filloi me himnin e flamurit dhe u pasua me një minutë heshtje në shenjë nderimi ndaj presidentit të ndjerë të PE-së, David Sassoli, i cili u nda nga kjo jetë javën e shkuar.

Gjatë seancës së sotme parlamentare pritet që të mbajë një fjalë përshëndetëse Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.

Në sallë ishin të pranishëm kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe deputetët e tjerë të opozitës. Ndër njoftimet e para që bëri Lindita Nikolla ishin ndryshimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, të cilin tashmë do ta drejtojë Enkelejd Alibeaj.

Reforma në Drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese janë prioritet i këtij sesioni”, tha ndër të tjera kryetarja e Kuvendit.

Ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut kanë nisur të diskutohen që sesionin e kaluar, megjithatë deri më tani nuk ka pasur asnjë dakordësi mes palëve.

Partia Demokratike pritet që të verë theksin tek Vettingu në politikë, por kjo çështje nuk ka marrë miratimin e socialistëve.

Po ashtu, një rëndësi të madhe do të ketë edhe Reforma Zgjedhore, ku së shpejti do të ngrihet komisioni i posaçëm./tvklan.al