Kemi hyrë në muajin e “Tetorit rozë” i cili i kushtohet tërësisht grave dhe vajzave në ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e tyre në luftën me kancerin e gjirit. Në këtë ditë të parë të muajit që mbart misionin e rëndësishëm, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu u ndal në studion e “Aldo Morning Show” në Tv Klan për të filluar fushatën.

Fillimisht, ministrja e përçoi mesazhin e saj përmes sloganit që është zgjedhur këtë vit, të cilin e mbante edhe në bluzë: “Ia vlen të jetosh”. Slogani është zgjedhur si ndërgjegjësim për të rikujtuar të gjitha gjërat e bukura dhe të vlefshme që i japin kuptim jetës duke bërë thirrje për të kthyer sytë nga vetja për të kryer një kontroll.

Albana Koçiu: Këtë vit slogani është “ia vlen të jetosh”. Është një slogan të cilin ne e kemi zgjedhur pikërisht për të gjitha gratë dhe vajzat që do të duhet t’i kthejnë sytë nga vetja. Do të duhet që gjatë muajit tetor, por  jo vetëm, gjatë gjithë muajve të vitit, t’i kthejnë sytë nga vetja, të kujdesen për veten, të kujdesen për të dashurit e tyre, të kujdesen për motrat, për shoqe dhe t’i marrin përdore për të bërë një ekzaminim, një ekografi, një mamografi të domosdoshme për të shpëtuar jetën e tyre. “Ia vlen të jetosh” është një slogan që të bën të shikosh gjërat e vogla që në jetën e përditshme nuk marrin rëndësi, por janë gjërat e vogla që i japin kuptim jetës. Është dashuria për familjen, është shkëlqimi në sytë e fëmijëve, janë shumë gjëra të vogla të përditshme për të cilat ia vlen të jetohet dhe prandaj slogani është një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat për të kthyer sytë nga vetja dhe për të bërë llogarinë sa shumë gjëra ka në jetë që ia vlen të jetohet.

Ministrja e Shëndetësisë tha se kanceri nuk prek vetëm gratë, por edhe burrat e për më tepër ka trend rritës. Ajo solli në vëmendje edhe faktin që ekzaminimi e më pas diagnostikimi i hershëm rrisin mundësinë e suksesit në kurim.

Albana Koçiu: Për fat të keq, është një sëmundje që ka një trend rritës, por ka edhe një lajm të mirë. Pas çdo të keqeje, ka edhe një lajm të mirë: 99% e rasteve të zbuluara hershëm janë totalisht të kurueshme prandaj edhe muaji tetor i dedikohet ndërgjegjësimit pikërisht për të bërë kontrolle dhe për ta kapur hershëm këtë lloj problematike, këtë lloj sëmundjeje. Sa më herët ta kapim, aq më probabilitet ka për ta kuruar suksesshëm. Jo pa qëllim i dedikohet një muaj i tërë i vitit, por duhet të kemi në konsideratë që nuk është vetëm një muaj. Nuk mjafton dhe për këtë arsye ne vërtet fokusohemi në tetor por ndërkohë ndërgjegjësimi duhet të vazhdojë përgjatë gjithë vitit. Vetëm për t’ju dhënë një shifër, vetëm në 2023 kemi afër 25 mijë mamografi të kryera nga gratë. 11 mijë janë kryer gjatë muajit tetor. Pra e kupton sa  larg jemi akoma atij ndërgjegjësimit çdo ditë të vitit?/tvklan.al