Konstitucionalist Jordan Daci u shpreh këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se heqja e mandatit të Ervin Salianjit është i paligjshëm. Ai theksoi se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Këshilli i Mandateve në Kuvend duhej të mblidhej dhe të verifikonte kushtet e ekzistencës ose jo të mbarimit të mandatit të deputetit.

“Mandati nuk mbaron vetvetiu. Duhej që Këshilli i Mandateve të mblidhej, të verifikojë kushtet e ekzistencës ose jo të mbarimit. Do të thotë të administrojë një vendim gjyqësor të plotë jo të shkurtuar. Me vendim të shkurtuar vetëm Shqipëria ka se në asnjë vend të botës nuk ekziston vendimi i shkurtuar si koncept. Edhe kodi jonë nuk e lejon këtë, pavarësisht se ka 30 vjet që e bëjnë përditë. Është një mbetje e viteve ’90. Edhe prokuroria iu drejtua kuvendit me autorizim për të kërkuar autorizim. Se çfarë ndodhi, nuk u mblodh mbledhja. Përfundimisht u ekzekutua në shkelje të hapur të Kushtetutës”, tha Daci.

Madje sipas tij, policia duhej të refuzonte arrestimin e Salianjit.

“Policia nuk duhej ta linte. Pra edhe nëse do vinte policia duhej të refuzonte”, tha ai.

Sipas Dacit, ligji të jep mundësinë që vendimi i gjykatës të ekzekutohet brenda 7 ditësh vullnetarisht. Prandaj sipas tij edhe njoftimi i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali sot për vakancën e mandatit nuk mund të bëhej pa një vendimmarrje në Këshillin e Mandateve. Sipas Dacit, Salianji nuk ka pasur mundësi të bëjë as rekurs në Gjykatën e Lartë.

Por çfarë mund të bëjë Salianji gjatë kësaj kohe?

“Ai ka bërë një kërkesë për shtyrje të ekzekutimit. Deri në 3 muaj e ka Gjykata e Shkallës së Parë. Mund ta marrë si vendim. Tjetër mund të kërkojë pezullim të ekzekutimit nga gjykata e Lartë, pra Kolegji Penal mund të vendosë pezullimin ose jo. Nëse vendos pezullimin ai lirohet dhe pastaj çdo gjë mbetet pezull. Ligji për dekriminalizimin është një ligj ekstrem, më ekstremi në gjithë botën. Ai thjesht nuk do jetë në burg, por ka një vendim të formës prerë ndryshe nga ajo që thotë gjykata e lartë për efektet e saj. Mund të kërkojë lirimin para kohe me kusht pasi të bëjë 2 të 3 e dënimit. Nga ana tjetër koha e mbetur harxhohet me procedurë derisa të merret vendim. Mund të fitojë një muaj ose më pak”, tha Daci.

Daci shprehet se Salianji duhet t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese pasi dënimi i tij është kryer pa u bazuar në ligj. Këtu mori shembujt e vendimeve të Gjykatës së Lartë ku thuhet se kallëzimi publik nuk është kallëzim dhe nuk përbën vepër penale.

“Ai duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sidomos që një rast ku jemi para një dënimi pa ligj në këndvështrimin tim. Nuk kam bërë kurrë kompromis me bindjet e mia profesionale dhe nuk më ka interesuar fare se cila anë është. Jam 1 mijë përqind i bindur që kallëzim publik, madje Gjykata e Lartë ka vendime që thuhet shprehimisht që kur kallëzimi është publik, nuk është kallëzim dhe nuk përbën vepër penale. Strasburgu ka me dhjetëra raste të tjera, sidomos në rastet e gazetarëve. Thotë fjala e lirë justifikon deri edhe sa të provokosh me një gjë të pavërtetë, të provokosh opinionin publik në të mirë, ndërgjegjësimit të publikut. Në këtë aspekt nuk është vetëm çështja e dënimit, por edhe e lirisë së shprehjes. Në momentin kur ti një opozitar nuk ka mjet tjetër për denoncimin, i thua të fus në burg për denoncimin nuk ka më opozitarizëm”, tha Daci./tvklan.al