Nisma për të shkarkuar Metën, mazhoranca ‘në punë’ për të ngritur Komisionin Hetimor



Nisma për të shkarkuar Metën, mazhoranca ‘në punë’ për të ngritur Komisionin Hetimor

09:50 03/05/2021

Zgjedhjet e 25 Prillit kanë nxjerrë 140 deputetët e rinj megjithatë deri në Shtator kur pritet që ata të hyjnë në parlament, Kuvendi do të vijojë me deputetët që janë pjesë e legjislaturës së vjetër.

Mësohet se ditën e sotme pritet që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të miratojë kalendarin e punës për javët në vijim. Por një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të miratohet është ajo e nismës së socialistëve për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

Gazetarja Klesiana Omeri raportoi nga Kryesia e Kuvendit se ditën e nesërme është planifikuar një seancë plenare, megjithatë kjo nismë e mazhorancës nuk është futur ende në rend dite.

Partia Socialiste është duke mbledhur firmat e nevojshme për të ngritur një Komision Hetimor në Kuvend mbi shkeljet e pretenduara nga ana e tyre të Presidentit Meta në zgjedhjet e 25 Prillit. Duhen të paktën 34 firma për ta ngritur një komision, ndërsa gazetarja raporton se socialistët janë duke punuar për të siguruar këto nënshkrime.

Mazhoranca thotë se Meta është përfshirë në fushatë elektorale edhe pse ligji e ndalon. Kjo është hera e dytë që PS-ja përpiqet të shkarkojë Presidentin Ilir Meta. Hera e parë ishte pas zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Për këtë përpjekje u desh një opinion i Komisionit të Venecias. Mirëpo kësaj here, në Shqipëri është funksionale gjykata Kushtetuese, kështu që ngelet e hapur mundësia që palët t’i drejtohen asaj dhe të shmangin “Venecian”./tvklan.al







Të ngjashme