Situata nga zjarret në zonën e Dropullit është normalizuar për shkak të reshjeve të shiut që ranë pasditen e sotme. Shiu fiku vatrat e zjarrit që ishin aktive. Kjo situatë ka larguar edhe rrezikun e prekjes së banesave nga flakët.

Gazetarja e Tv Klan në Gjirokastër, Dorina Muhaj, raporton nga fshati Terihat i Bashkisë Dropull se megjithëse situata është normalizuar, në disa zona ka vatra zjarri që momentalisht janë të qeta por mund të përkeqësohen për shkak të temperaturave të larta dhe erës që i favorizon.

Për këtë arsye, zjarrfikësit janë në vendngjarje dhe qëndrojnë në gatishmëri.

Qarkullimi i automjeteve në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë u bllokua për disa minuta dhe ju rikthye normalitetit më vonë.

Aktive mbetet për momentin vetëm vatra e zjarrit mes Delvinës dhe Gjirokastrës.

Tv Klan