Qeveria do të ndërmarrë nisma ligjore dhe do të ristrukturojë shërbimin zjarrfikës në Shqipëri me qëllim për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi nevojave të qytetarëve. Këtë paralajmëroi ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha gjatë përurimit të stacionit të ri zjarrfikës të Bashkisë Fier.

“Ministria e Brendshme po rishikon ligjin e këtij shërbimi, duke pasur si synim: Riorganizimin e Shërbimit Zjarrfikës, qoftë në bashki, apo bashki qendër qarku, apo në një formë tjetër;  Kategorizimin e bashkive sipas nevojës reale që ato kanë për shërbim zjarrfikës, duke u nisur nga ngarkesa e punës mbi bazën e statistikave, popullsisë, sipërfaqes territoriale, objekteve të rrezikshme.”

Ministri Hoxha theksoi se ndër masat e tjera, parashikohen shtesa organike të punonjësve dhe hapja e stacioneve provizore gjatë sezonit të verës dhe atij turistik, si dhe ngritja e Qendrës së Trajnimit Zjarrfikës. Ministri u ndal edhe te emergjenca e zjarreve në këtë stinë të nxehtë në vendin tonë dhe përballimin e saj.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të situatës kritike të zjarreve, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, qershor dhe korrik, ku forcat operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, janë përfshirë në më shumë se 1,500 ndërhyrje në të gjithë territorin. Dëmet në pyje e kullota padyshim janë të konsiderueshme, por kemi mundur të sigurojmë jetën dhe pronën.”

Stacioni i ri zjarrfikës i Fierit u ndërtua me mbështetjen financiare të qeverisë së Polonisë.

Tv Klan