Futën në Shqipëri 5.7 mln euro dhe i tërhoqën kesh

Nëpërmjet 15 kompanive që operonin si Call Center, 13 shtetas, mes tyre 9 italianë, futën në Shqipëri 5.7 milionë euro, të cilat dyshohet se janë krijuar në shtetin fqinj nga aktiviteti kriminal.

Të gjithë administratorë të kompanive, ata u morën të pandehur nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. 

Hetimet e kryera nga prokurori Bledar Valikaj, treguan se si këto kompani, shpeshherë edhe me vetëm 1 punonjës të punësuar dhe që nuk deklaronin asnjë fitim, kishin përfituar që prej vitit 2018, dhjetëra transferta bankare, nga kompani italiane.

Këto tranferta shënoheshin si pagesa për shërbime, por për shkak të historikut të kompanive rezultojnë se shërbimet e paguara nuk janë kryer asnjëherë.

Sipas dosjes që Tv Klan disponon, rezulton se transfertat monetare që më pas tërhiqeshin kesh, në pjesën më të madhe të rasteve nga shtetas shqiptarë, nisnin nga 10 mijë euro deri në 90 mijë euro.

Hetimet për këtë skemë, nisën pas goditjes së veprimtarisë së një Call Center-i në Tiranë.  

Tv Klan