Olsi Bylyku do të jetë protagonisti tjetër i “Policë për kokë” përkrah Nik Xhelilajt. Olsi do të ketë rolin e Xhinos, një polic naiv që nuk e njeh shumë profesionin dhe do të jetë një “problem” për kolegun, Maksin. Në “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, ndërsa rrëfen për rolin e tij, thotë se “komedinë e mori vetë përsipër”.

Olsi Bylyku: Ngacmimi i Xhinos ndaj Maksit është ngacmim shumë naiv, në formën që nuk do ta ngacmojë për ta vënë në vështirësi, por nga padituria që ka në lidhje me profesionin. Mendoj që ajo e bën gjithë pjesën komike të filmit, gjithë pjesa e naivitetit që ka Xhino si karakter dhe pjesa serioze e Maksit që kërcet në dyshe. Nuk besoj që asnjë nga rolet nuk do të më kishte ndenjur siç më rri Xhino sepse është në formatin tim, është në logjikën e asaj gjëje që unë kam ndërtuar gjithë këto vite në karrierën time, që është komedia. Pjesa tjetër janë të gjithë seriozë pastaj kështu që pjesën e komedisë e kam marrë vetë përsipër. I thashë Aldos, regjisorit, “mos fut më aktorë të tjerë se e ke gati”.

Po Egli, a do jetë pjesë e filmit? Ose e ndonjë projekti të tillë në të ardhmen?

Olsi Bylyku: Jo, po pse ta marr në film, o njëri o tjetri pra. S’rrinë dy alfa në një film se dy alfa në një këngë rrinë.

Gazetari: Po ose jo?

Olsi Bylyku: Po pse ta shfrytëzojmë direkt që tani? Sa ulemi bashkë, vetëm për filmin nuk flasim. Seriozisht, sa herë mbaroj regjistrimin që shkoj të takohemi te shtëpia, kemi 3-4 orë gjithë skenat dhe ajo gjithmonë në fund ka një llaf të vetin, “po mos ma trego se e mora vesh”./tvklan.al