Në Tokio mbërritën mijëra persona, 29 sportistë të infektuar

Pas 17 ditëve plot emocione, spektakël dhe surpriza, Lojërat Olimpike të Tokios kanë ulur siparin. Përfundimi i ngjarjes më të madhe të sportit në rruzull shënohet si arritje nga organizatorët, pasi mbajtja e tyre erdhi pas një momenti tepër të vështirë për botën.

Në mesin e pandemisë së COVID-19, 206 shtete dërguan ekipet e tyre përfaqësuese ku garuan për një total prej 1080 medaljesh. Fshati Olimpik ishte ndër zonat më të ruajtura gjatë këtyre ditëve, me organizatorët që kishin përpiluar rregulla strikte për të shpëtuar mijëra atletë pjesëmarrës nga shpërthimi i mundshëm i koronavirusit dhe variantit Delta.

Që nga 1 Korriku, kur edhe zbarkoi delegacioni i parë olimpik në Fshat e deri të dielën kur edhe përfundoi Olimpiada, autoritetet japoneze konfirmojnë se në mesin e atletëve, përfaqësuesve të komiteteve, gazetarëve dhe pjesëmarrës të tjerë u zbuluan 404 raste me koronavirus. Në mesin e tyre ishin 29 atletë, që për fatin e mirë të tyre e kaluan pa pasoja serioze.

Klan News