Në Ontario të Kanadasë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme pas protestave të shoferëve të kamionëve, që kanë paralizuar kryeqytetin, Otava. Protestuesit kanë bllokuar edhe rrugën kryesore tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet janë zotuar se do të bëjnë gjithçka për t’ju dhënë fund protestave, duke përfshirë edhe forcën.

Shoferët e kamionëve po kërkojnë që të hiqen të gjitha kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë COVID-19.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme synon të ndalë ndërprerjen e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Në propozimin e ekzekutivit janë përfshirë edhe gjoba deri në 100,000 dollarë kanadezë (rreth 80,000 dollarë amerikanë) dhe deri në një vit burgim për ata që e bllokojnë qarkullimin.

Autoritetet pranuan se kanadezët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore kur nuk pajtohen me Qeverinë, por “kjo e tanishmja nuk është një protestë”.

Shoferët e kamionëve e kanë marrë “peng” qytetin e Otavës – ku jetojnë një milion banorë – dhe “kanë shënjestruar rrugët duke bllokuar transportin e ushqimit, karburanteve dhe mallrave.

Ministria e Shëndetësisë e Kanadasë, tha ndërkaq se nuk do të ketë ndryshim të masave për frenimin e COVID-19.

Kryeministri kanadez, JustinTrudeau është nën presion të madh për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa ShBA-ja i ka bërë thirrje Kanadasë që të përdorë fuqitë federale për t’i dhënë fund bllokadës.

Protestat nisën në Otavë, teksa protestuesit kundërshtuan paraqitjen e dëshmisë së vaksinimit kundër koronavirusit për shoferët e kamionëve që kalojnë kufirin, në të kundërtën ata duhet të izolohen.

Klan News