#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Ilir Meta, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar i Kuvendit, kryetar aktual i Partisë së Lirisë është i ftuar në emisionin “Opinion”. Meta ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit për shumë gjëra. Pas largimit nga Presidenca, pas një sërë aktivitetesh për një periudhë të gjatë kohe ishte thuajse inekzistent në jetën e përditshme, më pas është shfaqur në një formë që ka befasuar rrjetet sociale. Ndjekja e tij në rrjetet sociale, angazhimi ose përqasja e njerëzve ndaj profilit të tij është rritur shumë por njëkohësisht postimet e tij kanë ngjallur një diskutim dhe një lloj habie.

Meta ngrihet në këmbë për t’i dërguar video-selfie Edi Ramës nga telefoni i Fevziut

Në përfundim të intervistës së Ilir Metës në “Opinion” në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu shkoi drejt tij për të regjistruar një videomesazh për kryeministrin Rama. Meta tha  se është i hapur jo vetëm për debat, por edhe të vendosin një kosh basketbolli pasi sipas tij, Rama ka bërë vetëm faull. Në fund, Meta pati edhe një paralajmërim për Ramën.

Blendi Fevziu: Ky është një mesazh nga “Tarzani” dhe “Spiderman”-i i politikës, Ilir Meta për Edi Ramën.  Çfarë do i thoshe Ramës zoti Meta?

Ilir Meta: Së pari nuk kam asnjë mesazh. Jam i hapur në çdo kohë këtu meqë përmendët “Tarzanin” dhe “Spiderman”-in, ai ka qenë basketbollist, unë kam qenë peshëngritës. Në çdo kohë jam gati këtu edhe për debat, por jam gati edhe ju të vini një kosh basketbolli.

Blendi Fevziu: Ta merr ai në basketboll.

Ilir Meta: Basketboll ai?

Blendi Fevziu: Po.

Ilir Meta: Ku ka bërë kosh ai ndonjëherë në basketboll, vetëm faull ka bërë. Ai kosh? Ai në basketboll ishte vetëm sepse ishte i gjatë, një, dhe e dyta ai kosh ka bërë vetëm kur ishte kryetar bashkie sepse gjuante 20 herë, bënte një kosh dhe atë e jepte në media.

Blendi Fevziu: Unë mesa di, jeni njohur te palestra e forcës të dy, ai bënte edhe ngritje peshash.

Ilir Meta: Po, vinte bënte me profesorin e ndjerë Feti Botorvën. Nuk dua të flas për këtë gjë. Edi, 4 milionë shqiptarë plus. Të jap fjalën! Edi, unë jam ai që të mora me pahir që s’më vije te parku “Rinia” se të merrnin të gjithë të fortët dhe Fatosi në telefon, mban mend apo jo? Edhe nuk kam ndryshuar Edi! Edi! Edi, jam mirë Edi!

Blendi Fevziu: Kam frikë se do të pyesë a është mirë Ilir Meta…qenka mirë!

Ilir Meta: Pa merak fare! Edi, shumë shpejt do të këmbehesh me Fredin! Mirupafshim!

Meta: Partia e Lirisë ishte një organizim i çorganizuar, tradhtia në nivele të larta

Ilir Meta thotë se Partia e Lirisë ishte një organizim i çorganizuar. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se tradhtia në forcën politike që ai drejton ka qenë në nivele të larta.

Blendi Fevziu: A mund të ma thuash se çfarë ka ndodhur në Partinë e Lirisë që ju keni bërë denoncime?

Ilir Meta: Këta janë çështje që nuk i interesojnë shumë publikut.

Blendi Fevziu: A keni gjetur përgjues në zyrën tuaj? A ka qenë në përgjim telefoni juaj?

Ilir Meta: Nuk kam asnjë merak dhe asnjë shqetësim. Unë tërë jetën jam në përgjim. Kam gjithë jetën në përgjim dhe nuk kam asnjë shqetësim për këtë punë. Tani, vijmë tek Partia e Lirisë ka patur një problem të madh sepse ka patur një organizim të çorganizuar.

Blendi Fevizu: Të qëllimshëm apo të paqëllimshëm?

Ilir Meta: Në nivelet e larta, zakonisht nuk ka gabime, ka tradhti. Që selia e Partisë së Lirisë të mos ketë roje nate 6 muaj dhe kryetari i Partisë së Lirisë të mos e dijë dhe ta marrë vesh vetëm kur emëron një burrë fisnik drejtor të organizimit, kjo është shumë e rëndë. Në kushtet kur kjo parti është target i Ramës.

Premtimi i pabesueshëm i Metës: Do ta bëjmë Shqipërinë me 4 milionë banorë

Ilir Meta është i ftuari i mbrëmjes në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Pyetjes së Blendi Fevziut se çfarë kërkon më tepër, Ilir Meta iu përgjigj me një deklaratë të fortë. Meta tha se do të bëjë që Rama të mbetet një nga figurat më të turpshme në historinë e Shqipërisë. Ai bëri thirrje që ta mbështesin pasi premton që do ta bëjë Shqipërinë me 4 milionë banorë.

Ilir Meta: Ky do të bëjë atë gjë që ëndrrën e Edi Ramës për të ekzekutuar pluralizmin politik do ta ekzekutojë në mënyrën më ekselente dhe Edi Rama do të mbetet në historinë e Shqipërisë një nga figurat më të turpshme për ato që ka bërë, jo vetëm për demokracinë, jo vetëm kundër interesit kombëtar për Kosovën, për atë që ka bërë për detin dhe për atë që ka bërë për shumë gjëra të tjera dhe Ilir Meta do këtë gjë dhe u them të gjithëve që duan të ikë Ilir Meta sa më shpejt nga politika: të mbështesin Ilir Metën që Shqipëria të shkojë 4 milionë shqiptarë. Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më shpejt ikën Ilir Meta. Ilir Meta, Shqipërinë në dorë të tutorëve të Edi Ramës nuk e lë kurrë. Ky është një projekt tashmë i qartë për të gjithë shqiptarët dhe na duhet një organizim i fuqishëm për 5 prioritetet tona, për 4 milionë shqiptarë plus dhe do ta realizojmë se s’bën, me atë fuqi dhe vendosmëri që i kam bërë gjërat gjithmonë unë.

Ilir Meta sqaron arsyet se përse ka përzënë gardistët që e ruanin

“Nuk i kam hequr, por unë i kam përzënë”, ka qenë kjo përgjigja e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, lidhur me mbrojtjen e Gardës së Republikës që i takon si ish-President.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta ka dhënë edhe arsyet e këtij vendimi teksa shton se të punosh me një ish-President, askush nuk duhet ta dijë se ku shkon ky i fundit.

Blendi Fevziu: A është e vërtetë që ju keni hequr mbrojtjen e Gardës së Republikës që si ish-President ju takon për 5 vjet?

Ilir Meta: Të them të drejtën unë nuk i kam hequr ata, unë i kam përzënë.

Blendi Fevziu: Pse i ke përzënë?

Ilir Meta: Sepse të punosh me një ish-President duhet të jesh shumë korrekt, duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe askush nuk duhet të dijë se ku shkon dhe me kë takohet Presidenti i Republikës sepse një njeri që kërkon të dijë se ku shkon, kë takon Presidenti, ai dëshiron të marrë kontrollin e aktivitetit dhe veprimtarisë së tij. Kjo është arsyeja pse unë i kam përzënë ata. Unë i kam respektuar shumë, por kjo mungesë besnikërie, aq më tepër nuk mund të rrish ti në një ambient me Blendi Fevziun, ku Blendi Fevziu flet keq për Ilir Metën. 

/tvklan.al