“Të mos cënohet nga ndryshime kushtetuese të njëanshme”

Koalicioni i partive jashtë parlamentit e përshëndeti miratimin në Kuvend të mendimeve që buronin nga marrëveshja e dakordësuar në 5 Qershor në Këshillin Politik.

“Miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian”.

Opozita së bashkuar thotë se që prej 14 Janarit është angazhuar në mirëbesim në Këshillin Politik. Ky duhet të jetë sipas saj qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve, dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Opozita e bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cenuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane”.

Opozita e bashkuar shpreh mirënjohjen ndaj SHBA, BE, Britanisë së Madhe dhe OSBE për ndihmën dhe mbështetjen për arritjen e një Reforme Zgjedhore konsensuale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Tv Klan