Këshilli i Mandateve është mbledhur pas kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit të deputetes të Partisë Socialiste Olta Xhaçka. Në nisje të mbledhjes, Klotilda Bushka ka kërkuar që mocioni i 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, të merret në shqyrtim dhe t’i jepet koha e duhur këshillit që të shqyrtojë dokumentacionin për verifikimin e informacioneve të paraqitura.

Kjo është kundërshtuar nga deputeti Enekelejd Alibeaj, i cili ka kërkuar që të lexohet dokumentacioni sot duke kërkuar po ashtu që e pranishme në këtë këshill të kishte qenë edhe Olta Xhaçka.

Enkelejd Alibeaj: Po bëj dhe unë një kërkesë. Zonja Xhaçka do të duhej të ishte këtu. Edhe Xhaçka për hir të procesit ligjor, do të duhej t’i jepet koha. Kërkesa jonë është depozituar prej kohësh. Edhe në seancë plenare, të cilët janë njohur me thelbin e fakteve dhe dokumentacioneve. Ne mund të gjejmë një zgjidhje të mesme. Sot të ecim me prezantimin e kërkesës. Nëse ju i qëndroni faktit se doni të njiheni me dokumentacionin, në një senacë tjetër, por të paktën këtë sot mos ta lëmë bosh. Edhe vetë Xhaçka të ketë mundësi të japë shpjegime. Sot të operojmë me paraqitjen e kërkesës, ju pastaj të merrni kohë për të lexuar dokumentacionin.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka kërkuar që t’i jepet gjithë koha e nevojshme Këshillit për t’u njohur me dokumentacionin e sjellë nga opozita.

Taulant Balla: Kam merak se nuk e njohin një pjesë e kolegëve rolin e Këshillit në këtë rast. Kuvendi nuk ia nënshtron mocionin debat parlamentar. Nëse ju keni ndërmend të bëni debat për këtë çështje, debat nuk ka, as teatër nuk ka. Unë mendova se e keni seriozisht, por po shoh se ju vetë nuk e keni seriozisht. Nuk ka asnjë dyshim në faktin se këtu nuk bëhet fjalë për një çështje që ka thelb, që ka substancë, diskutimi këtu është i karakterit kushtetues. As nuk e heqim dhe as e japim ne mandatin, e heq Gjykata Kushtetuese. A kemi të drejtë ta shohim këtë dokumentacion, e keni sjellë, janë disa vendime, në fund ky institucion nuk merr vendime. Ne këtë dokumentacion që ka ardhur, ta verifikojmë a është ky në plotësim të kushtetutës dhe këtë gjë duhet ta bëjmë me seriozitet. Unë do të ulem me kolegët e mi, kur të vijmë këtu të jemi seriozë. Ne kemi detyrë që gjithë këtë dokumentacion ta shohim. Kërkesa e Bushkës është një kërkesë në parim, e cila nuk mund të vihet në dyshim nga ana e Këshillit. Këtu mbledhja të ndërpritet, anëtarët të njihen me dokumentacionin. Dhe pastaj shkojmë në seancë plenare, ne këtu nuk marrim vendim. Vendimin e merr seanca plenare.

Fjalën e fundit të Këshillit e mbajti Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla e cila vendosi që mbledhja do të mbyllet për t’i lënë kohë anëtarëve të Këshillit të Mandateve të njihen me dokumentacionin.

Lindita Nikolla: Nuk mund ta anashkaloj që të ketë një studim të madh të informacionit, dhe më pas të jemi në gjendje për të gjykuar unë mendoj që ta mbyllim këtu mbledhjen dhe t’i japim kolegëve kohën e nevojshme për të shqyrtuar dokumentacionin./tvklan.al