Me kritika të ashpra u përball këtë të Premte në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti. Krerët e partive opozitare e akuzuan Kurtin se me qasjen e tij të ashpër, që ka shkaktuar tensione të larta në veri të vendit, po dëmton marrëdhëniet me aleatët e Kosovës që janë garant për sovranitetin e vendit.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK: Raporti jonë me SHBA është i shenjtë dhe nuk të lejojmë me rreziku. Është ekzistencial. Sovranitetin si do e shtrosh ti në Leposaviç kundër Amerikës? Ti sovranitetin nuk mundesh ta mbash as në zyrën tënde mos me pas mbështetjen e Amerikës.

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK: Kosova ka përfunduar me përballur me tension paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetutese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në veri, por ka përfunduar edhe me dënim, sanksione e penalizim ndërkomëbtar me përmasa të papara ndonjëherë.

Madje, aleati i tij i dikurshëm Ramush Haradinaj e akuzoi Albin Kurtin se është i pabesë.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK: Ashtu si dikur mashtronte të varfrit, të punësuarit, të papunët ashtu po vazhdon të provojë të mashtrojë aleatët e sigurisë, garantët e sigurisë tonë. Mashtrimet e tij shkojnë në tradhti. Është detyra jonë të logjikojmë… A duhet të vazhdojë pabesia me aleatët tanë. Kush përfiton nga pabesia me aleatët tanë përveç Putinit?

Haradinaj propozoi edhe një mocion mosbesimi për shkarkimin e tij nga posti i kryeministrit. Megjithatë, Kurti nuk shfaqi shenja tërheqjeje nga qëndrimet e deritanishme.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës: Këto s‘janë protesta prej poshtë. Këto janë protesta prej lart që d.m.th që s’janë protesta. Nuk është vullnet i popullit por direktivë e Beogradit dhe mua më vjen keq për qytetarët serbë që detyrohen të dalin në protesta, sepse ata sot më të palirë në Republikën e Kosovës.

Faktori ndërkombëtar i ka shmangur takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi ai nuk pranoi këshillat e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çka u vu re edhe gjatë samitit të liderëve të Europës që u mbajt në Moldavi.

Kancelari gjerman Scholz, Presidenti francez Macron dhe shefi i politikës së  jashtme të BE Josep Borrell ulën në tavolinë presidenten Osmani me presidentin serb Vuçiç për t’u propozuar një plan për zgjidhjen e krizës, i cili përfshin zhvillimin e zgjedhjeve të reja në 4 komunat me shumicë serbe.

Në Kuvend, Kurti nuk e përmendi këtë propozim, ndërsa Presidentja Osmani u tha partnerëve se do ta shqyrtonte atë.

Tv Klan