Opozita ka marrë një vendim të papritur për sa i përket zgjedhjeve të 30 Qershorit. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mund të dorëzojnë emrat e kandidatëve për Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Ky qëndrim bëhet i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë.”

Bardhi paralajmëron se në ditët në vijim Partia Demokratike do të faktojë manipulimet e kryera nga përfaqësuesit e kryeministrit Edi Rama për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë deklaruar se do të pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor, por pa specifikuar se cili është plani i tyre.

Tv Klan