Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, konsideron se paketa anti-shpifje ka nevojë për përmirësime. Në një postim në rrjetet sociale ajo shprehet se disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet europiane për të drejtat e njeriut.

Veçanërisht ajo sheh shqetësim kompetencat që u jepen organeve rregullatore me gjobat e rënda që mund të vendosin dhe bllokimet e faqeve pa vendim gjyqësor.

Mijatović i bën thirrje deputetëve të parlamentit të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i përafrojnë ato me standardet e Këshillit të Europës.

“Jam shumë e shqetësuar të mësoj se këtë javë parlamenti shqiptar vazhdoi shqyrtimin e dy projekt-ligjeve të njohura si paketa anti-shpifje. Këto ligje kanë nevojë për përmirësime urgjente. Disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet europiane për të drejtat e njeriut, të cilat mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Jam veçanërisht e shqetësuar se kompetencat që u jepen organeve rregullatore për mundësinë për të vënë gjoba të rënda, bllokimin e mediave online pa vendim gjykate si dhe hyrja e shtetit për të rregulluar mediat online mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend. Është e rëndësisë së madhe për t’u siguruar se interneti mbetet një forum i hapur e publik dhe të prevalojë vetërregullimi i mediave, duke përfshirë edhe ato online. Prandaj i bëj thirrje deputetëve të parlamentit shqiptar që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i bëjnë ato në të njëjtën linjë me ligjin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e Këshillit të Europës”, deklaron ajo në rrjetet sociale./tvklan.al