Paketa anti-shpifje, Rama: Kush thotë se ligji mbyll portalet gënjen

Paketa anti-shpifje, Rama: Kush thotë se ligji mbyll portalet gënjen

12:35 18/12/2019

“Ky ligj do të miratohet sot”

Ligji i ri anti-shpifje nuk i mbyll portalet. Kështu deklaroi këtë të mërkurë kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh se kush thotë se ligji mbyll mediat online gënjen. Gjithashtu kreu i qeverisë tha se AMA nuk e zëvendëson gjykatën me paketën e re.

“Nuk ekziston mbyllja. Kush thotë që ky ligj mbyll portale gënjen. Nëse ka një element që nuk ka qenë fare qysh në variantin e parë fare, në variantin gjerman, ka qenë e drejta për të mbyllur në sekondë çdo portal që ka pedofili, nuk besoj se keni kundërshti me këtë, terrorizëm dhe cënim të sigurisë kombëtare. Askush nuk mundet dot, të pretendojë se një shkrim ndaj tij kërcënon sigurinë kombëtare. Jo, kërcënon, patjetër qetësinë familjare. AMA nuk zëvendëson gjykatën. Është instanca ku konkludohet, por gjykata shqyrton problemin që ngrihet nga AMA. Por kur nuk lexon ligjin flet kot se ligji e ka të qartë fare këtë”, tha kryeministri.

Megjithatë, Rama tha se çdo ligj është i përmirësueshëm, por nuk mund të shtyhet në pafundësi miratimi i tij. Prandaj, i bëri thirrje deputetëve që ta miratojnë sot, këtë ligj që sipas tij do mbrojë njerëzit nga shpifja.

“Që të mos e zgjas më tutje, nuk ka ligj të përsosur. Çdo ligj është i përmirësueshëm, por nuk mund ta shtyjmë në pafundësi miratimin e ligjit. Ky ligj do të miratohet sot si një ligj që do mbrojë njerëzit nga llumi i shpifjes. Ne do vazhdojmë punën për aspektet proceduriale siç kemi rënë dakord dhe nga fjalia e parë tek e fundit, ligji është jo 99%, 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare. Këtë nuk ua them unë, por këtë ua them unë të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces që është OSBE-së”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se çështjet e veta kundër personave që kanë shpifur ndaj tij do t’i vazhdojë në gjykatë dhe jo tek AMA. Gjithashtu Rama tha se instrumenti i ri ligjor do të jetë në dispozicion të qytetarëve pas vitit të ri pasi përpara do ta kthejë Presidenti.

Unë me këta do vazhdoj në gjykatë, më janë bërë deri tani 6 vjet çështje, por unë këtyre nuk iu ndahem. Ose do vijnë në gjykatë dhe të thonë që janë të vërteta dhe unë iki, ose do dënohen si fajtorë për përhapjen e shpifjeve. Duke qenë se pas tërmetit kam hapur librat e shenjtë nuk po iu them se çfarë po thonë librat e shenjtë për shpifjen dhe për shpifësit. Po iu siguroj se ato që thotë Kurani për ata që janë atje janë shumë herë më të rënda se ato që them unë në ditën kur mund të jem më i angazhuar se kurrë kundër tyre. Nga sot shqiptarët do ta dinë që kanë në dispozicion një instrument që do ta kenë në dispozicion pas vitit të ri se Presidenti do na e kthejë para vitit të ri”, tha Rama./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi