Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të enjteje në Divjakë, ku një 19-vjeçare ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë janë plagosur.

Gazetarja e Klan News, Anila Sefa raporton se aksidenti ka ndodhur në rrugën kryesore Divjakë-Plazh dhe automjeti ku ndodheshin 3 persona, 19-vjeçarja Elsa Meçi, bashkëshorti i saj dhe një djalë tjetër, është përplasur me një pishë pas devijimit nga rruga.

Bëhet me dije se kanë qenë familjarët e vajzës që kanë bërë të mundur identifikimin, ndërsa trupi i saj u nxorr nga mjeti i dëmtuar pas 3 orësh.

Mësohet se 19-vjeçarja ishte ulur në sediljen e parë të automjetit dhe nuk e kishte vënë rripin e sigurimit. Ajo punonte si kuzhiniere në një restorant dhe bashkëshorti po e shoqëronte për në punë me makinë. Mësohet se as ai nuk e kishte vënë rripin e sigurimit.

Ndërkohë dy të plagosurit 23-vjeçarë ndodhen në spitalin e Lushnjes, jashtë rrezikut për jetën.

“Aksidenti ka ndodhur në rrugën kryesore Divjakë-Plazh, një rrugë shumë e ngarkuar sa i përket lëvizjes së automjeteve. Sipas shenjave që janë vendosur edhe nga Policia e Qarkullimit Rrugor, në automjet kanë qenë tre persona. Viktima është bashkëshortja e njërit prej dy të plagosurve. Të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spitalin e Lushnjes dhe po marrin mjekimin e duhur. Ndërsa viktima është Elsa Meçi, është 19 vjeç, banore e fshatit Mizë të Divjakës. Bëhet me dije se kanë qenë familjarët e viktimës që kanë bërë indentifikim e saj pasi më parë nuk dihej kush ishte viktima. Dy të plagosurit, njëri nga Elbasani dhe tjetri nga Vlora, janë prej vitesh qytetarë të Divjakës pasi janë shpërngulur për të jetuar dhe punuar në këtë zonës”, raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa.

Klan News