Shtëpi të shkrumbuara, të plagosur e mijëra të evakuuar në Atikën veriore dhe ishullin Evia, Mitsotakis: Vështirësitë i kemi përpara

Mijëra njerëz u ngritën natën nga shtretërit e tyre dhe u evakuuan në Athinën veriore, ndërsa flakët e zjarrit në Varybobi u përhapën edhe në disa zona të tjera derisa dolën edhe në autostradën kombëtare Athinë-Lamia në Afidnes. Nga zjarret u përfshinë edhe sipërfaqe të tjera me shkurre në ultësirën e malit Parnitha.

Banorët në Vothonas dhe Marathon gjithashtu morën urdhër të niseshin drejt bregdetit në orët e para të mëngjesit, pasi shërbimi zjarrfikës bëri me dije se vatra kryesore tashmë ishte ndarë në fronte të shumta, duke u përhapur në drejtime të ndryshme. Shërbimi zjarrfikës po përgatitet gjithashtu për erërat e forta që janë parashikuar në Atikë dhe pjesën tjetër të Greqisë.

Banorët e Atikës së Veriut kaluan një nga netët më të vështira të viteve të fundit. Objektet përgjatë autostradës në Afidnes, po digjen, ndërsa natën u dogjën disa shtëpi. Nënkryetari i Afidnes, Giorgos Dostis, i tha Skai TV se zjarri mund të ketë shkatërruar një sipërfaqe prej të paktën 4.500 deri në 5.000 hektarë.

Megjithatë, nuk ka pasur humbje jete, dhe vetëm dhjetëra të shtruar në spital, kryesisht zjarrfikës që kanë pësuar djegie të vogla, por edhe banorë që vuajnë nga thithja e tymit. Më shumë se 600 njerëz u evakuuan edhe nga veriu i ishulli Evia, pasi një zjarr i tërbuar bllokoi rrugën jashtë fshatit Agia Anna, duke bllokuar banorët dhe pushuesit. Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis iu drejtua qytetarëve duke thënë se vendi po përballet me një situatë tejet kritike.

“Pas 10 ditësh nxehtësie, po përpiqemi të menaxhojmë dhjetëra zjarre në pyje, në të njëjtën kohë. Tre prej tyre, në Atikë, Evia dhe Ilia, janë me madhësi dhe intensitet të madh”, tha Mitsotakis.

“Përparësia jonë është gjithmonë të mbrojmë jetën e njerëzve. Mbrojtja e pronës, mjedisit natyror dhe infrastrukturës kritike vjen më pas. Fatkeqësisht, në këto rrethana, arritja e të gjitha këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë është thjesht e pamundur”, shtoi ai.

Mitsotakis paralajmëroi se vështirësitë janë përpara, pasi priten erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit. Mitsotakis vuri në dukje se, së bashku me Mbrojtjen Civile, qeveria ka hartuar një plan emergjence, duke vendosur gjashtë rajone, përfshirë Atikën, në gjendje alarmi të kuq.

Klan News