Parlamenti Evropian miratoi Rezolutën për strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, në të cilën kërkon që përparimi i Serbisë në negociata dhe qasja në fondet e bllokut, të kushtëzohen me harmonizimin e politikës së jashtme me Brukselin, përkatësisht vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“Deputetët e Parlamentit Evropian besojnë se negociatat aktuale me Serbinë (për anëtarësim) duhet të përparojnë vetëm nëse ai vend mbështet sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Rusisë dhe shënon përparim të rëndësishëm në zbatimin e reformave”, thuhet në një njoftim të këtij parlamenti.

Rezoluta e hartuar nga deputeti kroat Tonino Picula, thekson edhe nevojën për përparim në bisedimet Kosovë-Serbi drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ashtu që të dyja vendet në përparojnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka theksuar në disa raste se nuk do ta bëj një gjë të tillë derisa Serbia nuk përballet me rrezik ekzistencial.

Presidenti serb ka theksuar se integrimet evropiane janë interes i Serbisë, por kjo rrugë kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë. /VOA