Tirana barazon me Bylisin mes tensioneve

Ekipi kampion, skuadra e fundit që do të shkojë në kupat e Europës dhe mbijetesa do të përcaktohen në javën e fundit. Partizani fitoi 4-1 me Kastriotin, duke marrë vendin e parë pavarësisht se me pikë të barabarta me Tiranë, por i favorizuar nga rezultatet direkte. Kjo humbje për krutanët vendosi zbritjen e tyre në Kategorinë e Parë.

Tirana barazoi 2-2 me Bylisin. Ekipi mallakastriot ka ende shpresë që të renditet i teti, pozicioni i play out. Në fund tifozët bardheblu hynë në fushë duke sulmuar arbitrat. Teuta mundi 1-0 Egnatian dhe u ngjit në vendin e katërt, që të çon në kupat e Europës.

Por gjithsesi është 1 pikë larg Vllaznia që barazoi 1-1 me Laçin. Kukësi e mbylli pa gola ndeshjen me Erzenin, duke lënë të hapur çështjen e mbijetesës. Në javën e fundit që do të zhvillohet të hënën do të jenë verdiktet e sezonit, ku natyrisht vëmendja është te Partizani dhe Tirana që përballen respektivisht me Teutën dhe Erzenin, ekipe që kanë ende objektiva.   

Tv Klan