Pavarësisht polemikave të forta që shkaktoi në media dhe opinionin publik takimi me Vladimir Putinin në Helsinki, Donald Trump nuk ndalet. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ftoi homologun e Kremlinit për një takim të dytë.

Sikurse Trump, përmes Twitterit foli edhe zëdhënësja e tij Sarah Hakwvi Sanders, e cila tha se takimi është duke u përgatitur. Presidenti i kishte kërkuar Këshilltarit për Sigurinë Xhon Bolton të ftonte Putinin në Uashington për të vijuar diskutimet e nisura në takimin e parë.

Mediat prestigjioze amerikane “Bloomberg” zbulon përmes burimeve të brendshme nga takimi i Helsinkit se Putin i kishte propozuar Trumpit, zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, përmes një referendumi për pavarësi në zonat separatiste të lindjes nën modelin e Krimesë. Por sipas “Bloomberg”, Trump i kërkoi Putinit të mos e bëjë publik planin tepër sensitiv për t’i dhënë kohë për përgatitje.

Krahas Ukrainës, çështjet e terrorizmit, siguria e Izraelit dhe armët bërthamore janë tema diskutimi në takimin e pritshëm – siç shprehet Trump. Lajmi për takimin e dytë Trump- Putin i mbërriti papritur shefit të zyrës kombëtare amerikane të zbulimit Den Kouts gjatë një forumi për sigurinë.

Tv Klan