PD paraqiti në KQZ në ditën e fundit të afatit zyrtar kërkesën për rregjistrimin e koalicionit të saj me partitë më të vogla të opozitës që do të garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Përfundimisht PD dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkojnë drejt zgjedhjeve parlamentare me dy lista të ndara kandidatësh për deputetë në nëntë qarqe të vendit.

Për të maksimalizuar votën e opozitës, PD dhe LSI do të paraqiten me një listë të përbashkët të kandidatëve për deputetë vetëm në tre qarqe, Gjirokastër, Dibër dhë në Kukës.

Koalicioni i PD me aleatët mban siglën, “Partia Demokratike-Aleanca për ndryshim”.

Në kuadër të marrëveshjes, PD zotohet se aleatët do të përfaqësohen me emra kandidatësh në listë, në bazë të rezultateve të mëparshme zgjedhore.

Poshtë emrit të koalicionit opozitar do të shkruhen emrat e partive që janë pjesë e koalicionit. Kandidatët në listë duhet të jenë kandidatë të koalicionit dhe jo të partive, njësoj siç u veprua në 2017-ën.

Me rëndësi është vendimmarrja e koalicionit të PD-së dhe atij të LSI-së pas zgjedhjeve në përpjekjen e tyre për të arritur mbi 71 deputetë, minimum për krijimin e qeverisë së re pas 25 Prillit.

Klan News