“Përgjegjës për pasojat e tërmetit”

Partia Demokratikë paditi në SPAK disa zyrtarë të lartë për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, Artur Bushi i Krujës, ish-kryetarët e Bashkisë së durrësit Vangjush Dako dhe Valbona Sako, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini, janë kallëzuar për 5 vepra penale;

“Shpërdorim detyre”, “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” janë akuzat që ngre partia demokratike.

Sipas selisë blu, kryetari i Bashkisë së Krujës lejoi që banorët e 2 pallateve në Thumanë, ku humbën jetën 24 persona, të qëndronin në ndërtesat që u shembën edhe pasi ato u shpallën të pabanueshme.

Selia blu thotë se e njëjta përgjegjësi evidentohet edhe në vdekjen e kryekomsisarit Hajdarmataj në godinën e Kavalishencës në Durrës, që sipas saj ishte shpallur e pabanueshme pas tërmetit të 21 Shtatorit.

“Si pasojë e kësaj neglizhence totale të ministrit të Brendshëm dhe të vartësve të tij në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tyre, ka ardhur një pasojë shumë e rëndë, vdekja e kryekomisarit Hajdarmataj”.

Partia Demokratike thotë se në kallëzim penal drejtuar SPAKU-t që mban datën 22 Janar, listohen të gjitha rastet e dëmtimit të infrastrukturës arsimore publike.

“Për Partinë Demokratike, shkatërrimi apo dëmtimi i këtyre objekteve është rrjedhojë e prokurime publike korruptive, që kanë sjellë cilësi të dobët të punimeve, duke vënë në rrezik serioz jetën e fëmijëve”.

Kallëzimi që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, cilësohet si një sfidë ndaj SPAK për të dëshmuar që ligji është i barabartë për të gjithë.

Tv Klan