Partia Demokratike ka akuzuar në SPAK 73 deputetë socialistë, mes tyre dhe kryeministrin Rama. Ky kallëzim vjen pas vendimit të Parlamentit për mosdërgimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.

Për grupin parlamentar demokratë, deputetët e mazhorancës kanë konsumuar dy vepra penale: “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”. Në kërkesën që mban datën 1 Tetor drejtuar Prokurorisë së Posaçme, demokratët thonë se pëveç shkeljes së kodit penal, mazhoranca pengoi drejtësinë.

“Pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kuvendit për mosdërgimin e mandatit të Olta Xhackës në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën duke penguar zbatimin e Gjykatës Kushtetutese, ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal.”

Në seancën plenare të 13 Shtatorit, 65 deputetë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 vota ishin pro dërgimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë pas këtij vendimi të deputetëve, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu drejtua Komisionit të Venecias për mendim.

Kërkohet interpretim se cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar. Shqyrtimi i kësaj kërkese do të bëhet më 6 dhe 7 Dhjetor.

Klan News