“Megjithatë mund ta themi se rreth të 40-ve është një periudhë në të cilën ka një lloj rilindjeje,” kështu është shprehur në studion e “Shije Shtëpi” në Tv Klan farmacistja Arba Gramo, teksa diskuton për ndryshimet që pëson gruaja në moshën 40-vjeçare.

Në një rrëfim ndryshe ajo tregon ndjesitë e saj kur arriti moshën 40-vjeçare, katër vite pasi u divorcua me partnerin e saj. Gramo ka thënë se kjo ka qenë periudha ku ka reflektuar dhe ndryshuar.

Katerina Trungu: A janë të 40-at si një formë ndryshimi apo rilindjeje? Ka disa që i referohen si një adoleshencë e dytë, ka një grup njerëzish që thonë se fillova të jetoja edhe një herë jetën.

Arba Gramo: Unë mendoj se po, qëndron kjo në shumicën e rasteve. Duke marrë parasysh që gjërat janë shumë individuale në shumicën e rasteve në varësi të jetës që ke jetuar deri në atë moment, eksperiencave që ke pasur apo që nuk ke pasur, kushteve edhe financiare madje, statusit që ke, ka shumë faktorë që ndikojnë. Megjithatë mund ta themi se rreth të 40-ve është një periudhë në të cilën ka një lloj rilindjeje. Mendoj se kjo lidhet kryesisht me faktin që perspektivat e tua tashmë nuk janë përgjithësisht të krijuarit të familjes, të mbaruarit të shkollës, por janë të shijuarit ose të kthyerit të kokës mbrapa se çfarë ke arritur deri tani dhe në një farë mënyre të reflektosh do apo nuk do të bësh më zgjedhjet që ke bërë, dhe me kapacitetin emocional që ke në atë moshë të gjitha këto janë të bëshme.

Katerina Trungu: Vetë personalisht cilat janë ndryshimet që t’i ke pësuar nga të 40-at, kënaqësinë që ti ke marrë nga kjo moshë?

Arba Gramo: Të 40-at e mia faktikisht ishin 4 vite pas divorcit. Megjithatë divorci është një proces që të çon në ndryshime të të gjitha gjërave që kishe menduar se ishin në një format të caktuar dhe ti tani fillon dhe i shikon ndryshe aq më tepër në shoqërinë shqiptare siç kam qenë unë ndryshimi është më i madh, kështu që reflektimet e mia kanë qenë edhe për shkak të moshës, por edhe për shkak të periudhës në të cilën jam ndodhur në moshën 40-vjeçare. Megjithatë është si një çlirim, është si një kalim në anën tjetër, mendja jote fillon dhe të çliron nga shumë mendime që deri dje të kanë bërë edhe të ndjehesh keq, kam bërë që edhe të mbetesh mbrapa në disa momente të jetës tënde, duke u përpjekur kryesisht që t’u përmbahesh rregullave dhe normave të shoqërisë./tvklan.al