Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj ka reaguar pasi grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi se do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj (Lexo më shumë).

Në një postim në rrjetet sociale, deputeti socialist thotë se nuk ka përfituar asnjë Lek nga buxheti i shtetit. Për më tepër ai deklaron se prej vitesh rrogën mujore të deputetit e dhuron për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Prandaj kërkesën e Partisë Demokratike thotë se e ka mësuar me habi dhe jo pa humor. Deputeti Sinaj sqaron se ka dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve nga viti 2017 dhe ka vendosur transferimin e kuotave sipas ligjit në fuqi.

“Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, tha Sinaj.

POSTIMI I PLOTË I VULLNET SINAJT

Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.

Për sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:

– Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.

– Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.

– Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. 

Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.

/tvklan.al