PD, padi në SPAK për shembjen e teatrit



PD, padi në SPAK për shembjen e teatrit

16:08 02/06/2020

“Provë për Prokurorinë e Posaçme, Rama dhe Veliaj duhet të ndëshkohen nga drejtësia”

Partia Demokratike ka dërguar në SPAK një padi për shembjen e teatrit. Selia blu e konsideron shkatërrimin e teatrit si një veprim të paligjshëm dhe për këtë kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj duhet të ndëshkohen nga drejtësia.

Sipas PD-së, ata kanë shkelur ligjet për të çuar përpara këtë projekt që është bërë në kundërshti me ligjin për prokurimin publik, që detyron qeverinë të kryejë konkurs ndërkombëtar për projektin e teatrit të ri.

“Një drejtësi e pavarur e ka shumë të thjeshtë të faktojë këtë të vërtetë dhe t’i vërë prangat Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Një vendimmarrje e tillë nuk është në kompetencën e këshillit Bashkiak të Tiranës.  Ne kemi kërkuar nga prokuroria që të vendosë sekuestro preventive për truallin e kaluar në pronësi të bashkisë me vendim qeverie. Kjo do të ndalë çdo akt tjetër, si ndërtimin e një projekti të paligjshëm, ashtu edhe grabitjen e truallit për të ngritur atje kullat e oligarkëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej, shtohet se kjo çështje është një provë për funksionimin e pavarur të SPAK-ut.

“Me apatinë e deritanishme, SPAK ka zhgënjyer këdo që ka besuar se ky institucion do të ndëshkojë qeveritarët e korruptuar dhe bandat e krimit të organizuar. SPAK i ka aty të gjitha faktet. Mjafton që prokurprët të bëhen shërbëtorë të politikës dhe kjo çështje çon pas hekurave Edi Ramën dhe Erion Veliajn”, thuhet në deklaratë.

Kallëzimi i është drejtuar kundër Ramës, Veliaj, disa  nëpunësve dhe propozuesve të shembjes së teatrit, kryetarit të Këshillit Bashikak Tiranë, disa inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit dhe kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Kallëzimi drejtohet kundër:  Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë; Erjon Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tirane; Arbjan Mazniku, Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboci, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, në cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë dhe propozues për shembjen e Teatrit Kombëtar; Toni Gogu, Kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë; Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Afrim Cenga, Ing. Artur Hasantare, Ing. Olsi Nunaj, Ing. Elbarina Nunaj, në cilësinë e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit; Dallëndyshe Bici, Kryeinspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”, thotë PD./tvklan.al



Të ngjashme