Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë 1.5 milionë Dollarë kompanisë së ish-prefektit socialist të Kukësit Safet Gjici për të kryer punime në Universiteti i Durrësit, ndonëse shpenzimet duhet të mbuloheshin nga vetë universiteti.

Dorian Teliti:

Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumentave të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit. Në realitet është ndryshe. Në këtë rast qeveria është treguar plotësisht klienteliste. Në vend që të shlyejë rreth 240 milionë Dollarë detyrime të prapambetura, të konstatuara nga FMN, qeveria e Edi Ramës mbush xhepin e Safet Gjicit me 1.5 milionë dollarë për një projekt ku ajo nuk ka asnjë detyrim.

Por këto akuza të opozitës ish-prefekti Gjici i ka cilësuar gënjeshtër të radhës së opozitës. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka paralajmëruar se do t’i drejtohet gjykatës për shpifjet që sipas tij vijnë nga selia blu. Gjici mohon të jetë pjesë e botës së biznesit e aq më tepër të ketë përfituar tendera.

Sipas ish prefektit socialist tenderi për godinën e Universitetit është realizuar në fillim të vitit 2013, kur në qeveri ishte Partia Demokratike! Madje,vijon sqarimin e tij Gjici, kompania që administronte në atë kohë  nuk ka marrë ende as paratë e punës së bërë.

Tv Klan