PD: Rikthimi i kazinove të hetohet nga SPAK


PD: Rikthimi i kazinove të hetohet nga SPAK

17:17 11/09/2020

Akuza Ramës se kërkon të pastrojë paratë e krimit

Demokratët akuzojnë Kryeministrin Rama se po kërkon të pastrojë paratë e pista me vendimin e qeverisë për rihapjen e kazinove, duke thyer premtimin që u bëri dy vjet më parë shqiptarëve. Ata ftojnë SPAK-un që ta hetojë si rast tipik i kapjes së shtetit rikthimin e kazinove në 6 zonat kryesore të kryeqytetit.

“Në fshehtësi ai ka miratuar një VKM që i hap rrugë përsëri biznesit kriminal të lojërave të fatit në zemër të kryeqytetit. Pasi gënjeu se do ti mbyllte ato përfundimisht, ai po kërkon të përdorë dhe pastrojë paratë e krimit nëpërmjet kazinove dhe lojërave të fatit. Akoma pa u tharë boja e vendimit për mbylljen e lojërave të fatit, ai i rihap ato, duke u tallur me dramën e atyre mijëra familjeve të cilat i mashtroi me premtimin e thyer se do ti jepte fund një plage të madhe sociale.”

Por Ministria e Financave ka sqaruar se do të jetë nën përgjegjësinë e saj kontrolli dhe mbikëqyrja e lojërave të fatit, si dhe do të jetë ky dikaster që do të nxjerrë aktet nënligjore për procedurën e pajisjes me licencë në zonat ku do të hapen kazinotë, si dhe revokimin apo pezullimin e tyre.

Do të jetë Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që do të ndjekë procedurat për pajisjen me licencë dhe se aplikantët do të duhet të jenë shoqëri aksionare, me seli në Shqipëri, në objektin e veprimtarisë, me kapitalin, kapacitetet dhe të kenë përvojë për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Tv Klan





Të ngjashme