PD: Veliaj gënjeu për financimin e shkollës



PD: Veliaj gënjeu për financimin e shkollës

12:32 29/10/2020

Veliaj: “Sami Frashëri” ka nisur të rindërtohet

“Shkolla Sami Frashëri do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e qeverisë të fituara në Bruksel për Bashkinë e Tiranës”.

Kjo deklaratë e bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në Shkurt të vitit 2020 është risjellë nga Partia Demokratike, e cila e akuzon atë se ka mashtruar për financimin e rindërtimit të kësaj shkolle dhe se e ka prishur ndërtesën pa patur asnjë projekt paraprak.

“Erion Veliaj gënjen. Kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Europian, por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë. Gënjen kur tha se u prish dhe se do të rindërtohej prej tërmetit ashtu siç gënjen kur tha se shkolla kishte një projekt. Vendi ku më parë ngrihej shkolla Sami Frashëri, këtu pas krahëve të mia, është një provë e gënjeshtrave, e korrupsionit, e babëzisë dhe abuzimit me pushtetin”.

E menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigja e Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Nga kantieri i gjimnazit “Sami Frashëri”, Veliaj tha se jo vetëm ka nisur puna për rindërtimin e tij, por godina e re do të ketë një hapësirë 2 fish më të madhe. Edhe në një takim që zhvilloi me Asamblenë Socialiste të njësisë 5, Veliaj tha se rindërtimin e shkollës po e pengojnë ata politikanë që kanë mësuar aty.

Se edhe Ilir Meta ka mbaruar “Sami Frashërin”, edhe Lul Basha ka mbaruar “Sami Frashërin”, edhe Jorida, shoqja jonë në klasën paralele me ne, e cila varej sot tek kangjellat e Samiut dhe recitonte historitë e Saliut dhe të Monikës”.

Veliaj u shpreh se Partia Socialiste do të marrë edhe një mandat të tretë qeverisës për të çuar përpara punët e nisura.

Tv Klan




Të ngjashme