Të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare

Raporterja për vendin tonë Isabel Santos theksoi se do të dyfishohen përpjekjet nga Brukseli për ta ndimuar Shqipërinë të tejkalojë situatën e ndezur politike.

“Zgjedhjet e 25 prillit janë një tjetër moment historik që mund të ndihmojë në tejkalimin e polarizimit politik që e ka ndarë shoqërinë sidomos kohët e fundit. Zgjedhjet do të jenë thelbësore për konsolidimin dhe rinovimin e procedurave dhe strukturave demokratike të vendit dhe arritjen e një niveli më të lartë të stabilitetit politik. Nevoja për të kapërcyer polarizimin ekstrem në fushën politike është gjithashtu diçka që unë shpresoj se mund të përmirësohet nga zgjedhjet që kanë një rëndësi thelbësore për Shqipërinë”, tha ajo.

Raporterja Santos mbështeti kërkesën për zhvillimin pa vonesa të mëtejshme të konferencës së parë ndërqeveritare, pas përmbushjes së plotë të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian.

“Dua të vlerësoj progresin e Shqipërisë në reformat e pakthyeshme, të qëndrueshme lidhur me sundimin e ligjit, funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe administratës publike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet për t’i ndihmuar shqiptarët sepse 97% e tyre mbështesin integrimin evropian”, u shpreh Santos.

Parlamenti Evropian u bën thirrje drejtuesve politikë të krijojnë një klimë besimi përmes rritjes së transparencës, kapërcimit të mungesës së bashkëpunimit dhe sigurimit të funksionimit normal demokratik të institucioneve.

Klan News