Struktura e brendshme e Bashkimit Evropian ka nevojë për një ndryshim në strukturë për të përfshirë anëtarë të rinj në valën e ardhshme të zgjerimit, tha nga Polonia presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Zgjerimi nuk mund të ndodhë pa reforma strukturore paralele. BE-ja është një projekt që ndryshon në vijimësi ndaj kërkon rregullim të vazhdueshëm. Duhet të kuptojmë se struktura aktuale e BE-së nuk do të jetë më e përshtatshme në një organizatë më të madhe që do të numëronte si pjesë të saj 32, 33 apo 35 anëtarë.”

Metsola e përshkroi zgjerimin e BE-së si mekanizmin më të fortë gjeopolitik të kësaj organizate kundër Rusisë, ndaj bëri thirrje forcimin e arkitekturës së sigurisë së Evropës. Sipas saj, Moska mbetet “një kërcënim konstant për sigurinë e BE-së, sistemin demokratik, stabilitetin, vlerat e saj dhe mënyrën evropiane të jetesës”.

Ajo bëri thirrje për rritjen e mbështetjes për Ukrainën dhe lehtësimin e krizës së kostos së jetesës dhe krijimin e vendeve të punës. Udhëheqësit e BE-së shpesh bëjnë thirrje për “reforma” kur flasin për zgjerimin, por rrallëherë hyjnë në detaje se çfarë kuptojnë në të vërtetë.

Vitin e kaluar, Parlamenti Evropian miratoi disa propozime  konkrete për reforma. Mes këtyre propozimeve, PE miratoi kufizimin e kompetencave legjislative të Këshillit Evropian dhe rrjedhimisht edhe të shteteve anëtare, heqjen e modelit të presidencës 6 mujore me rotacion si dhe heqjen e të drejtës së vetos nga shtetet anëtare.

Zgjedhjet e BE-së e shtynë për një moment këtë projekt në plan të dytë, por siç tregojnë edhe vërejtjet e presidentes Metsola, reformat e brendshme strukturore BE-së janë ende në tavolinë. Polonia do të mbajë presidencën e Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2025.

Klan News