Partia Demokratike ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik, duke refuzuar që të bisedojë për listat e hapura.

Në përfundim të mbledhjes që zgjati gati 1 orë, përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri u shpreh se Partia Demokratike refuzoi që çështja e listave të hapura të trajtohet në Këshillin Politik.

Oerd Bylykbashi i PD tha se në mbledhjen e sotme u miratua pjesa tjetër e marrëveshjes së 5 Qershorit, siç ishte rënë dakord.

“Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik, opozita zbatoi atë pjesë tjetër të marrëveshjes së 5 Qershorit, çështje për shit/blerjen e votës, presionin që bëhet mbi zgjedhësit dhe çdo vepër tjetër penale që dëmton zgjedhjet. Një paketë e cila sot u dakordësua dhe që është e detyrueshme për parlamentin për ta miratuar pa ndryshime. Ajo që është miratuar këtu duhet votuar pa ndryshime. Çdo veprim i njëanshëm minon dhe nxjerr nga shinat arritjen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe produktin e saj, çdo gjë tjetër është e papranueshme, nuk është për diskutim. Çdo gjë tjetër minon dhe shkatërron atë marrëveshje të rëndësishme”.

Kurse deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari u shpreh se Partia Demokratike duhet të pranojë sa më shpejt të diskutojë për listat e hapura.

“Ka patur dhe nga ata njerëz simpatizantë të PD që më kanë thënë ne jemi të zhgënjyer nga lidershipi i PD që nuk e mbështet këtë nismë. Dua që ata t’i mbështesin sepse besoj që çdo demokrat do të vijnë ata njerëz që duan popullin. Duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme ne të shkojmë me listat e hapura. BE aplikon po të njëjtën metodë. Çdo vend anëtar i BE përqafon listat e hapura. Dua të mos ndaloj së rreshturi për t’i shtrirë dorën popullit opozitar. Listat e hapura do jenë realiteti i ardhshëm në zgjedhjet e ardhshme, është koha për ta përqafuar këtë ndryshim”. /tvklan.al