Partia Demokratike do të qëndrojë jashtë Parlamentit për aq ditë sa Byroja e Kuvendit përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha nga punimet e Kuvendit. Vendimi për bojkotin 10 ditor u mor në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në një Parlament ku nderohen kriminelët dhe trafikantët e drogës e prostitutave dhe dënohen ata që denoncojnë krimin, ky duket akti më i lehtë që mund të ndërmarrim. Edhe sikur të dalim fare nga ai parlament, ne tashmë e kemi filluar punën tonë si deputetë me Parlamentin e vërtetë, qytetarët e këtij vendi

”, deklaroi Edi Paloka, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Përjashtimi i ish – Kryeministrit Berisha u komentua edhe nga ish – Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila tha se vendimi i Byrosë synon të mbajë opozitën jashtë çdo veprimtarie politike.

I pyetur nëse qëndrimi jashtë parlamentit i opozitës do të ndikojë në negociatat për një takim të mundshëm Rama-Basha, Paloka tha se ky është një vendim që nuk i takon grupit parlamentar.

Për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga punimet e Kuvendit reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që e cilësoi vendimin e mazhorancës shenjë të krizës së rëndë ku gjendet Edi Rama. Basha thotë se kjo është një manovër për t’i mbyllur derën opozitës në Parlament e tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme, si reforma në drejtësi apo reformën zgjedhore./TV KLAN

lulzim basha