Vitin e shkuar Europa kaloi nga temperaturat e ftohta të pranverës në të nxehtin afrikan që shënoi vlerat më të larta gjatë verës, përmbytje dhe flakë që përfshinë Mesdheun. Kontinenti regjistroi temperatura përvëluese në Siçili, Itali që arrinin në 48.8 gradë Celsius, gjë që theu rekordin e Greqisë në vitin 1977 kur Athina ‘zieu’ në 48 gradë.

Temperatura e ajrit në Europë është rritur me 2 gradë krahasuar me nivelin para industrial. Vala e të nxehtit të verës 2021 dogji më shumë se 800 mijë hektarë, ndërsa studiuesit parashikojnë se nuk do ishte çudi nëse do të pasonte një rritje tjetër temperaturash.

Shirat e 14 Korrikut në kufirin gjermano-belg vranë më shumë se 230 njerëz, teksa meteorologët u shprehën se vetëm në një ditë, zona përjetoi shirat e një muaji të tërë. Nga ana tjetër, erërat në Europën veriperëndimore dhe qendrore shënuan vlera të ulëta shpejtësie.

Nga kriza klimatike nuk shpëtuan as SHBA dhe Kanadaja ku qindra njerëz vdiqën nga i nxehti dhe zjarret. Kushtet klimatike po shkaktojnë mot ekstrem në të gjithë botën, ndërsa gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një çështje kritike menaxhimi i ngrohjes globale./tvklan.al