Një atentat me armë zjarri ka tronditur Elbasanin mbrëmjen e kësaj të shtune. 3 persona kanë humbur jetën, mes të cilëve një shtetas turk.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:15, në Bradashesh. Shtetasi i huaj, me iniciale E.K humbi jetën në vendngjarje, ndërsa 2 personat e tjerë, të identifikuar si Endri Alibej dhe Arben Dylgjeri ndërruan jetë gjatë kohës që transportoheshin drejt spitalit të Elbasanit. 3 viktimat udhëtonin me një makinë me targë italiane AG71WYP, kur persona të pa identifikuar hapën zjarr në drejtim të tyre.

Sipas korrespondentit të ABC News në Elbasan, Fatos Salliu, ndaj personave në fjalë është qëlluar me breshëri automatiku. Duke iu referuar dëshmive në vendngjarje, Salliu tha se pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi drejt Peqinit.

Dyshimet janë se atentati ka qenë i mirëorganizuar dhe në të kanë marrë pjesë disa persona. Sa i përket motiveve, paraprakisht dyshohet se kemi të bëjmë me larje hesapesh.

Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, si dhe një grup specialistësh nga Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit. Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve.

Ndërkohë në një informacion paraprak për mediat Policia e Shtetit sqaroi:

” Sot rreth orës 21:15, në Bradashesh, Elbasan, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti. Për pasojë kanë mbetur të vrarë 3 shtetas, që udhëtonin me të. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, në një perimetër të gjerë. Policia po kryen kontrolle e shoqërime dhe një sërë veprimesh të tjera, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Një grup specialistësh nga Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë nisur në ndihmë të Policisë së Elbasanit”.

/tvklan.al