“Vettingu në polici, fasadë”

Partia Demokratike ka reaguar pasi Policia e Shtetit vendosi largimin e përkohshëm të Artan Shkëmbit, si kreu i Operacionit Forca e Ligjit. Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, tha se kjo nuk është surprizë, pasi OFL-ja ka qenë iluzion që prej momentit të krijimit.

“Me drejtimin e qeverisë nga Edi Rama, forcën dhe pushtetin e ka krimi. Çdo gjë tjetër është fasadë. Krimi emëron drejtorët e policisë, krimi merr tenderat, krimi bashkëqeveris”, tha Alibeaj.

Sipas ish-deputetit demokrat, rasti i bashkëpunimit të Shkëmbit me krimin e organizuar tregon falsitetin e procesit të vetingut në polici dhe gjendjen e depërtimit të krimit në kupolën e Policisë së Shtetit.

“Pak javë më parë, kreu i OFL-së e kaloi me sukses vetingun, duke dëshmuar se Ministria e Brendshme, shërbimi informativ dhe strukturat e tjera, në të vërtetë, nuk funksionojnë. Ato janë fasada e pushtetit që, nga një anë, bën show me të ashtuquajturën luftë kundër krimit, nga ana tjetër paguhet nga krimi”, tha Alibeaj.

Policia sipas demokratëve ka dështuar të vendosë ligjin mbi interesin e pushtetit. Alibeaj solli shembuj nga e shkuara.

“Edhe për laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, pala shqiptare u njoftua nga partnerët e huaj dhe e dekonspiroi operacionin për të shpëtuar Olsi Ramën dhe mikun e tij, që drejtonte trafikun, Genci Xhixho. Rasti i bashkëpunimit të kreut të OFL-së me krimin, nuk është rast i izoluar.  5 vjet më parë, nën presionin e opozitës, u zbulua se Policia mbante fshehur urdhrin e arrestit ndërkombëtar për deputetin e Edi Ramës, Mark Frroku. Në të vërtetë, kreu i OFL-së nuk ka bërë as më pak, as më shumë, sesa ka bërë kryeministri i vendit”.

Alibeaj tha se Rama është takuar disa ditë më parë me figura të botës së krimit të Durrës për t’u siguruar paprekshmëri në këmbim të përfshirjes së tyre në fushatën elektorale të Partisë Socialiste.

“Edi Ramës i ka dalë situata jashtë kontrollit, sepse edhe ai e di shumë mirë se ditët e tij në krye të vendit janë të numëruara”, tha ai.

Artan Shkëmbi, një prej drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, si kreu i Operacionit Forca e Ligjit, është pezulluar nga detyra. Shkëmbi dyshohet se ka nxjerrë sekretin hetimor dhe ka marrë pjesë në afera korrupsioni.

SPAK prej muajsh po e hetonte Artan Shkëmbin, pas disa informacioneve që kanë ardhur nga ndërkombëtarët. Nga hetimet ka rezultuar se kreu i OFL ka bashkëpunuar me disa persona të cilësuar si pjesë e grupeve kriminale në Shqipëri, duke nxjerrë informacione.

Për këtë shkak Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin e tij nga detyra, ndërkohë që Policia e Shtetit i ka komunikuar atij largimin e përkohshëm./tvklan.al