Ervis Shkurta dyshohet se kishte lidhje me tre të rinjtë që u kapën në Tiranë

Një punonjës policie është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore si i përfshirë në trafikun e drogës.

Ervis Shkurta, që shihni në këtë foto, akuzohet se ka lidhje me ngjarjen e ndodhur në Tiranë, ku ish-kreu i Transportit Ndërqytetës, Eneo Sulejmanaj që kishte në makinë 1 kg kokainë, u plagos pasi rrezikoi jetën e efektivëve.

Ai u arrestua bashkë me dy personat e tjerë, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj. 38-vjeçari Shkurta, sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka patur dijeni për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

“Mbrëmjen e së enjtes Ervis Shkurta ishte pranë këtij vendi në rrugën Mihal Duri në kryeqytet, i cili sapo pikasi kolegët e tij që ndërhynë për të goditur grupin e trafikut të kokainës, u largua dhe menjëherë sinjalizoi grupin tjetër që të largoheshin edhe ata.”

Implikimi i 38-vjeçarit, u zbulua pas zbërthimit të celularit të Shkëlqim Ostrenit, i cili e pyeste në vvhatsapp, duke i shkruar “Hë a mbaruat”. Për të komunikuar efektivi i policisë përdorte një numër anglez, që në celularin e të arrestuari Ostreni ishte shënuar me emrin Visi i Pazarit.

Po atë ditë në telefonin e të ndaluarit nga policia u gjetën edhe 7 thirrje të humbura nga Shkurta. Agjencia e Mbikqyrjes Policore është duke vijuar kontrollet për gjetjen e celularit me numër anglez të Ervis Shkurtës.

Efektivi ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me grupet kriminale dhe ishte i përfshirë në shkëmbimin e drogës duke përfituar shuma të mëdha parash. Roli i efektivit ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale. Jo vetëm kaq, por Shkurta dyshohet se kishte njohje dhe lidhje edhe me një grup kriminal.

Për episodin e të enjtes në mbrëmje, ku policia plagosi Eneo Sulejmanin, është shpallur në kërkim edhe një tjetër person, i cili dyshohet si i përfshirë në skemën e trafikut të drogës.

Nga ana tjetër, burime nga policia bëjnë me dije se Eneo Sulejmanaj dhe dy shokët e tij Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, ishin të përfshirë jo vetëm në trafikun  e kokainës. Ata dyshohen si të implikuar edhe në trafikun e kanabisit në sasi të mëdha, lëndë të cilët e siguronin kryesisht në zonën e jugut.

Antidroga e Tiranës, është duke punuar për të provuar përfshirjen e tyre. Sulejmanaj dhe anëtarët e tjerë të grupit, lëndën narkotike e shisnin kryesisht në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Kokainë që u sekuestrua nga policia, kishte ardhur nga Durrësi.

Klan News