“Zero taksë për ata që punojnë tokën e tyre”

“Si ka mundësi që gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij, Edi Rama u ka kthyer kurrizin fermerëve”.

Kështu e nisi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantimin e programit të forcës së tij për bujqësinë. Basha tha se buxheti i shtetit do të mbështesë direkt fermerët me fonde.

“Unë angazhohem që të subvencionojmë me një shifër rekord, drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit, 100 milionë Euro në vit për fermerët shqiptarë dhe të financojmë 50 milionë Euro të tjera çdo vit për infrastrukturën bujqësore, krahas financimeve të Bashkimit Europian. Mbështetja direkte me para në dorë për çdo dynym tokë të kultivuar dhe krerë në blegtori, do të ulë shpenzimet e fermerëve për mekanikën bujqesore, pajisjet e mekanizimit, imputet bujqësore bazë, plehrat kimike, farërat,  fidanet, racat e kafshëve, produktet e mbrojtjes se bimeve etj”.

Një tjetër premtim janë lehtësirat në marrjen e mbështetjes financiare për fermerët.

“I vetmi dokument me te cilin fermeri do të paraqitet për të përfituar mbështetje finanaciare, do të jetë karta e identitetit, numri unik i të cilës do të shërbejë edhe si NIPT-i i fermerit. Taksa e tokës do të zerohet për të gjithë fermerët që e punojnë tokën e tyre. Unë angazhohem për aksesin e plotë e të lirë  në tregje, çmontim monopoleve të tregjeve dhe heqjen e çdo pengese që fermeri të arrijë ta çojë prodhimin në treg. Pa gjoba dhe pengesa të shpikura për t’ju rrjepur qindarkën e fundit”.

Basha tha se do të fuqizohet aksesi në tregjet e huaja, duke ngritur Agjencinë e Promovimit të Eksporteve Shqiptare.

Tv Klan