Autoritetet gjermane kanë vënë në pranga 3 persona, pasi dyshohet se po planifikonin një sulm terrorist në qytetin e Duesseldorf –it, në emër të Shtetit Islamik.

Sipas “

Associated Press

”, në prangat e policisë kanë rënë 3 shtetas Sirianë, të cilët u arrestuan në 3 qytete të ndryshme të Gjermanisë. Një i dyshuar i katërt, i cili informoi zyrtarët në Paris për këtë plan, është aktualisht në gjendje arresti në Francë.

Në një deklaratë për shtyp, Zyra Federale gjermane e Hetuesisë tha se plani ishte që 2 kamikazë do të vetëhidheshin në erë në qendër të Duesseldorf –it, më pas do të kishte sulme të tjera që do të vrisnin sa më shumë njerëz të ishte e mundur me armë zjarri dhe eksplozivë.

Megjithatë, sipas autoriteteve gjermane nuk ka të dhëna se ata kishin nisur përgatitjet konkrete dhe plani u zbulua kur njëri prej tyre ia rrëfeu atë hetuesëve francezë më 1 Shkurt./tvklan.al