Kryeministri Edi Rama pasi ka vizituar disa nga personalitetet që kanë marrë vaksinën kundër Covid në stadiumin “Air Albania” ka reaguar ashpër kundër atyre që nuk e kanë mbështetur këtë nismë. Më një deklaratë për mediat, Rama tha se  të gjithë personalitetet që morën vaksinën janë mbi 80 vjeç dhe nuk është bërë  asnjë dallim klasor.

Rama i cilësoi të neveritshme dhe çnjerëzore akuzat e politikanëve për vaksinimin e personaliteteve. Më tej disa prej atyre që kanë hedhur akuza kundër tij i ka quajtur pseudopersonalitetet që kanë akses në ekrane.

Qëllimi është që ky proces të vazhdojë pa ndërprerje. Kjo do të varet nga dozat që do të kemi në dispozicion. Unë kam shumë besim që do të sigurojmë doza plus në ditët dhe javët në vijim. Më vjen shumë keq për shkulmën e padenjë dhe të neveritshme të disa pseudopersonaliteteve që kanë akses në ekrane, që në mënyrën më çnjerëzore përhapën një tym krejtësisht të panevojshëm, sepse këta njerëz që vaksinohen sot janë të gjithë në kategorinë e plus 80-vjeçarëve dhe fakti që vaksinimi nis me një numër shumë modest, në krahasim me numrin e përgjithshëm që i kanë dhënë kaq vendit e shoqërisë, është një shprehje shumë e sinqertë dhe shumë e thjeshtë, e kuptueshme, e një përkujdesjeje për këta njerëz, të cilët nuk duhet të presim të ndahen nga jeta për t’iu mbajtur fjalimet e për t’iu dhënë dekoratat, siç tanimë është bërë një trend qesharak në Presidencën e Republikës. Të bëjmë atë që mund të bëjmë sot për sot. Nga ana tjetër, këtu nuk bëhet fjalë për asnjë lloj diferencimi, sepse këta njerëz i përkasin kësaj kategorie. Në sallë ka njerëz të njohur, por edhe krejtësisht të panjohur. Kjo do të vazhdojë gjatë gjithë ditës dhe kështu do të bëhet për të gjithë.”, tha Rama.

Për sa i përket nisjes së vaksinimit të mesuesve kreu i qeverisë nuk dha një përgjigje, por shtoi se plani është që vaksinimi të mbyllet brenda 14 muajve.

“Do të vazhdojmë me më të moshuarit dhe pastaj me këto kategori. Rëndësi ka që me dozat që kemi në dispozicion do të përfundojmë plotësisht vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Po punojmë çdo ditë e natë për të garantuar më shumë doza, më shpejt. Ne kemi arsye të jemi besimplotë që do ja dalim për skenarin e vaksinimit për 14 muaj. Është një ambicie e madhe. Dua t’iu them disave që thonë ‘shkoni e merrini nga Kina, jepni lekët’. Nuk kanë nxjerrë tezga dhe o burra kush shkon t’i marrë. E vërteta është se nuk ka vaksina”, tha Kryeministri./tvklan.al