Tragjike është ndoshta fjala që përshkruan më së miri ngjarjen e së mërkurës pasdite kur Demokrat Demiraj, për shkaqe që duket se do të mbeten të pazbardhura, vrau me thikë bashkëshorten e tij.

Ai e goditi Irvana Hykën dhjetëra herë me thikë, duke i marrë jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë e familjes në fshatin Sheq i Madh të Fierit. Çifti i bashkëshortëve kishin dy fëmijë të vegjël të moshës 4 dhe 6 vjeç, ndërsa nëna e re ishte 6 javëshe shtatzënë.

Në foto: Irvana Hyka

Pas krimit, Demokrat Demiraj u largua nga shtëpia, për t’u gjetur i pajetë paraditen e kësaj të enjteje. Trupi i tij u gjet nga policia rreth orës 10:20 në fushën e mbetjeve në Fier.

Paraprakisht, dyshohet se 29-vjeçari i dha fund jetës duke u vetëvarur. Megjithatë do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e sakta.

Në foto: Demokrat Medinaj

Në fshatin Ferras, aty ku jeton familja e 28-vjeçares Irvana Hyka mëngjesin e kësaj të enjteje u hapën dyert e mortit. Për gazetarët, familjarët e saj thanë se nuk kishin dijeni që mes çiftit të kishte pasur probleme.

“Si xhaxha i mbesës di që nuk kanë pasur probleme familjare. Lajmin e kemi marrë në mënyra private edhe nga mediat… Si familje kanë kaluar shumë mirë”, tha xhaxhai i së ndjerës.

Ndërsa familjarët e Demirajt deri më tani nuk kanë pranuar të flasin.

Ndërkohë gazetarja e Tv Klan, Anila Sefaj, përcolli disa detaje më shumë për çiftin e bashkëshortëve.

“Ajo ka qenë tip i ndrojtur dhe nuk ka treguar për konflikte në familjen ku ishte martuar 7 vjet më parë me mblesëri në fshati. Familjarët e saj, autorin e vrasjes e përshkruajnë si njeri të qetë dhe thonë që dhëndri nuk ka shfaqur shenja dhune, apo shenja të shëndetit mendor. Ata kërkojnë nga policia, që pasi t’i bëjnë të gjitha nderimet viktimës, të zbulojë se cilat kanë qenë shkaqet që çuan në këtë tragjedi.

Natyrisht fëmijët janë të shokuar, sidomos fëmija 6-vjeçar. Ata janë marrë nga familjarët e viktimës dhe po mbahen me psikologë. Ata po mbahen larg kësaj ngjarje dhe po kujdesen që të mos marrin vesh çfarë ka ndodhur me prindërit e tyre.

Shtëpia ku ndodhi krimi

Duke marrë parasysh pamjet nga vendngjarja ata jetonin në një banesë të mirë dykatëshe. Familjarët bëjnë me dije që krimi ka ndodhur edhe në prani të familjarëve të tjerë. Familja ka qenë e rezervuar për të dhënë detaje rreth jetës së tyre. Ata nuk kanë qenë në nivele të varfërisë me aq sa kuptohet nga pamjet e banesës. Kurse në Ferras, vendin ku jetonte familja e viktimës është e varfër”./tvklan.al