Dëshmitarë të cilët ndodheshin brenda autobusit që u përfshi nga flakët mesditën e sotme në Krujë thanë se për t’i shpëtuar flakëve thyen xhamin me sende të forta. Ata rrëfejnë se dolën nga dritarja për t’i shpëtuar zjarrit.

Ndërsa Drejtori i Spitalit të Krujës, Arbër Kurti ka hedhur dyshimet se mund të flitet për dy viktima, por nuk ka dhënë më shumë detaje për viktimën e dytë. Ai ka pohuar se 10 të lënduar kanë mbërritur në spitalin e Krujës, prej të cilëve njëri ka ndërruar jetën gjatë rrugës.

Sipas drejtorit, janë 5 lënduar lehtë ndërsa 3 janë në gjendje të rëndë.

Drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola, i cili ishte nga të parët që mbërritën në vendgjarje, konfirmon se paraprakisht zjarri dyshohet të ketë shpërthyer nga shkaqe aksidentale.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 27.05.2016, rreth  orës 11:25, në qëndër të qytetit të Krujës,  autobusi me targa AA 584 MP me drejtues shtetasin S.J. banues në Vlorë, me pasagjerë ka marrë flakë. Pasagjerët janë përfaqësues të një sekti fetar.

Për pasojë, ka ndërruar jetë një pasagjere e seksit femër, si dhe 12 persona janë dëmtuar,  të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Autobusi ka marë flakë në ecje e sipër dhe dyshohet se shkaku ka qenë aksidental.

Në vendngjarje ndodhen Efektivat e Policisë dhe Forcat Zjarrëfikëse, të cilët vijojnë hetimet./tvklan.al