Policia merr masa për fillimin e vitit të ri shkollor


Policia merr masa për fillimin e vitit të ri shkollor

08:53 14/09/2020

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla, por edhe për të monitoruar situatën e pandemisë.

Mësohet se në të gjitha shkollat e vendit dhe përreth ambienteve të tyre do ketë prezencë të shtuar të Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo përreth tyre.

Patrullat e Përgjithshme, ndihmësspecialistët e policimit në komunitet, ndihmësspecialistët e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë prezent në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të procesit mësimor.

“Nga punonjësit e Policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj, duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, për:

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave;

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve;

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë”, thuhet në një njoftim dërguar mediave./tvklan.al





Të ngjashme