Gjatë një jave Policia Rrugore ka pezulluar 149 leje drejtimi dhe ka arrestuar 44 drejtues mjetesh pasi kanë shkelur Rregullat e Qarkullimit Rrugor.

“Janë pezulluar 149 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt. Janë arrestuar 44 drejtues mjetesh, nga këta 28 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 16 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi,” njofton Policia Rrugore.

Gjithashtu në sajë të parandalimit të aksidenteve rrugore në të gjithë vendin policia ka vendosur rreth 23,259 masa administrative, kryesisht për shpejtësinë tej normave të lejuara.

“Në të gjithë vendin janë vendosur 23 259 masa administrative, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mospërdorim të rripit të sigurimit, për parakalime të gabuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, për manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, për parkim të gabuar dhe për shkelje të tjera,” thuhet në njoftimin e policisë./tvklan.al